Koha fluturon dhe papritmas Max Verstappen sheh dritë në fund të një tuneli që dukej i gjatë në fillim të këtij sezoni. 4 herë kampioni i botës në Formula 1 ka pranuar se ky sezon ka marrë një kthesë tjetër në gjysmën e dytë krahasuar me dështimet e garave të para.

Holandezi i Red Bull fitoi dy garat e fundit, duke treguar një ringjallje të skuadrës: “Unë gjithnjë them atë që mendoj dhe vë në dukje atë që besoj se është gabim, duke ofruar sugjerime për përmirësim. Ndonjëherë kritikohem nga njerëz të caktuar për këtë sjellje, por ndoshta sepse nuk e kuptojnë atë që dua të them”.

Lidhur me këtë sezon, ai pranon se mendonte për t’u tërhequr nga garat: “Po, në fillim të këtij viti vërtet e kisha prekur fundin, veçanërisht gjatë fundjavave të para të këtij sezoni. Nuk e kisha përjetuar kurrë më parë një ndjesi të tillë. Është e qartë se bota e sportit i ka dëgjuar kërkesat tona deri diku”.

“Më pëlqen vërtet të punoj me njerëzit te Red Bull dhe mënyra se si funksionojmë si ekip. Për ne, rezultatet janë parësore; kjo është gjëja më e rëndësishme. Por duhet gjithashtu të ndihesh rehat dhe i vlerësuar dhe kjo sigurisht që ndodh këtu”, shtoi piloti holandez.

“Edhe perspektiva për të ardhmen duket pozitive, edhe pse kjo nuk garanton se do të qëndroj në këtë sport të paktën deri në vitin 2030. Nuk mund ta thuash kurrë me siguri, por ky është objektivi”, tha Verstappen.

The post Verstappen pranon se e kishte menduar tërheqjen: Në fillim të vitit preka fundin, por e ardhmja duket pozitive appeared first on Telesport.