Ylber Ramadani do të jetë mungesa e rëndësishme e Shqipërisë në sfidën e radhës ndaj Bjellorusisë, për shkak të pezullimit nga kartonët. Mesfushori kuqezi nuk e fshehu zhgënjimin që nuk do të jetë në fushë, por konfirmoi se do të udhëtojë me skuadrën drejt Hungarisë për të qëndruar pranë shokëve:

“Sonte ishim shumë të motivuar. Ishim të motivuar edhe nga ndeshja e fundit me San Marinon, ku nuk bëmë mirë. Kishim folur me çunat për këtë ndeshje dhe ramë dakord se duhej të futeshim ndryshe në fushë. Patëm vështirësi në 10-15 minutat e para. Ndryshuam sistemin e lojës dhe menjëherë shënuam golin. Jemi të kënaqur, sepse kemi luajtur futboll të bukur. Tani po luajmë më mirë. Shpresoj të bëjmë mirë edhe ndaj Bjellorusisë dhe të marrim një rezultat pozitiv.

Në minutën e 25-të, Maran më thirri dhe më tha që Asllani dhe Laçi të qëndronin përpara dhe të sulmonin mbrojtësin e djathtë dhe të majtë, ndërsa unë të qëndroja përpara mbrojtjes. Shkoi shumë mirë. Me Maran jemi shumë mirë, sepse sulmojmë shumë dhe e qarkullojmë shumë mirë topin. Dimë ku të pasojmë, dimë çfarë të bëjmë, i dimë të gjitha.

U mërzita shumë kur mora kartonin, sepse doja të isha në ndeshjen e radhës. Ata luajnë shumë me topat e dytë dhe me duele. Do të shkoj me çunat në Hungari, që të jemi bashkë. Edhe në Finlandë patëm vështirësi në 10 minutat e para, sepse ata luanin me topa të gjatë dhe kërkonin topin e dytë, pasi sulmuesi ishte shumë fizik. Me ndryshimin e skemës ishim më afër njëri-tjetrit për të fituar topat e dytë”.

The post Ramadani: U mërzita shumë për kartonin, do të udhëtoj me çunat në Hungari për t’i mbështetur appeared first on Telesport.