Irani i ka bërë të ditur Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (ANEA) se bisedimet për mbikëqyrjen e programit të tij bërthamor nuk mund të vazhdojnë për sa kohë vendi kërcënohet me sulme ushtarake. Kështu thuhet në një raport konfidencial, i cili sot iu dërgua vendeve anëtare të ANEA-së.

Sipas raportit, Teherani këmbëngul se bisedimet për rifillimin e inspektimeve nuk mund të vazhdojnë për shkak të “kërcënimeve të vazhdueshme, të qarta dhe publike” nga presidenti i SHBA-së për të kryer akte të tjera agresioni të armatosur kundër Iranit, veçanërisht ndaj objekteve të tij bërthamore, raportojnë mediat amerikane.

Irani thekson se kjo situatë nuk do të ndryshojë “derisa të adresohen shkaqet kryesore të gjendjes aktuale dhe të rikthehen kushtet themelore për zbatimin e masave të zakonshme të sigurisë”.

Mediat amerikane rikujtojnë se Irani nuk u ka lejuar inspektorëve të ANEA-së qasje në objektet bërthamore që u goditën nga sulmet izraelite dhe amerikane në qershor të vitit 2025. Për më tepër, që nga bombardimet, ANEA nuk ka arritur të verifikojë gjendjen e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit.

Megjithatë, Teherani ka riafirmuar “përkushtimin e tij të fuqishëm për të vazhduar zbatimin e plotë të detyrimeve të sigurisë, sapo ta lejojnë kushtet përkatëse ligjore dhe aktuale”.

Nga ana tjetër, ANEA ka deklaruar se mungesa e informacioneve për objektet bërthamore dhe materialet nukleare të Iranit përbën “shkak për shqetësim lidhur me përhapjen e armëve bërthamore”, çështje që duhet të zgjidhet urgjentisht. Agjencia theksoi se është “plotësisht e gatshme” të rifillojë aktivitetet e mbikëqyrjes në Iran në një afat të shkurtër.

Në letrën drejtuar ANEA-së, Irani ka shprehur gjithashtu shqetësim për ofertën e fundit të SHBA-së për shpërblim deri në 20 milionë dollarë për informacione rreth programit bërthamor iranian.

Teherani ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së konfidencialitetit të aktiviteteve të ANEA-së, si dhe nevojën për garanci se informacionet për programin bërthamor të Iranit nuk do të zbulohen, keqpërdoren apo shfrytëzohen për qëllime të tjera.