Filipinet kanë fituar edicionin e parë të Eurovision Song Contest Asia, i zhvilluar në Bangkok të Tajlandës, ku 11 shtete garuan për çmimin e madh. Fituesja u shpall këngëtarja 19-vjeçare Carmelle, e cila me këngën “Sobra-Sobra”, një himn për fuqizimin e grave, arriti të rrëmbejë votat e jurisë dhe publikut.

Carmelle grumbulloi gjithsej 211 pikë, prej të cilave 93 nga juritë kombëtare dhe 118 nga votimi i publikut. Në vendin e dytë u rendit përfaqësuesja e Tajlandës, MANG x DAOU, me 170 pikë, ndërsa podiumi u plotësua nga Vietnami me 164 pikë.

Performanca e fitueses, e cila ishte edhe konkurrentja më e re e festivalit, u prit me entuziazëm nga publiku në One Bangkok Arena. Mes performancave të spikatura ishte edhe dueti tajlandez “Aroma”, që mori duartrokitje të shumta, si dhe grupi nga Bangladeshi Beatmosphere, i cili krijoi ritmet muzikore vetëm përmes zërave, pa përdorur kolonë zanore instrumentale.

Në garë morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Malajzia, Laosi, Butani, Koreja e Jugut, Mongolia, Nepali dhe Kamboxhia. Votimi ndoqi modelin e Eurovisionit europian, ku gjysma e pikëve u përcaktua nga publiku dhe gjysma tjetër nga juritë e 11 shteteve, me pikë shtesë nga votimi i pjesës tjetër të botës.