Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, ku gjatë kontrollit të një furgoni me targa të huaja janë zbuluar rreth 8.274 kilogramë argjend i pastër, me vlerë të përafërt prej 8.000 deri në 10.000 euro.
Sipas njoftimit të Doganës, argjendi ishte fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur, ndërsa automjeti po udhëtonte në tranzit nga Belgjika drejt një vendi fqinj.
Pas dyshimeve të zyrtarëve doganorë dhe kontrollit me skaner, automjeti iu nënshtrua një kontrolli të detajuar, ku u zbulua sasia e padeklaruar e argjendit.
“Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore.
