Operacion terroristë i përgatitur përmes Maqedonisë: ASK zbuloi një rrjet proksi iranian, duhej të kryenin atentat në Greqi
Struktura kriminale nga Maqedonia, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të një qytetari iranian të lidhur me rrjete të inteligjencës iraniane, kanë ndërmarrë aktivitete përgatitore dhe logjistike për kryerjen e një akti terrorist, konkretisht një atentat ndaj një personi të përcaktuar paraprakisht në Greqi. Këtë e ka njoftuar drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, duke zbuluar detaje të operacionit që ka zgjatur rreth nëntë deri në dhjetë muaj, përcjell Pa Censurë.

Sipas Hristovskit, ASK-ja ka ndërmarrë aktivitete operativ-teknike dhe analitike për zbulimin e një rrjeti në Maqedoni të lidhur me qytetarin iranian Edris Jahangiri Mavaneh.

„Për sa i përket rrjetit maqedonas, bëhet fjalë për persona të vendosur në struktura kriminale në vend, të cilët sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të qytetarit iranian ndërmarrin aktivitete përgatitore logjistike për kryerjen e aktit terrorist, atentat ndaj një personi të përcaktuar më parë, një target i lokalizuar në Greqi“, deklaroi Hristovski, transmeton Pa Censurë.

Ai theksoi se Mavaneh është i lidhur me persona të tjerë me interes për shërbimet e sigurisë, mes tyre edhe narkobosi iranian Naxhi Sharifi Zintashki.

Sipas informacioneve të ASK-së, Mavaneh disponon një rrjet të gjerë ndërmjetësish dhe kontaktesh, dhe ka indikacione se me shumë gjasa bashkëpunon me shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës iraniane.

Në koordinim me shërbimet partnere të huaja është zbuluar edhe mënyra e funksionimit të rrjetit, përfshirë mbajtjen e takimeve sekrete në vende të treta, mes tyre edhe Irani.

„Në koordinim dhe shkëmbim me shërbimet partnere të huaja u zbulua modus operandi i tyre për mbajtjen e takimeve konspirative në territorin e vendeve të treta, përfshirë Iranin, ku u konfirmuan lidhjet me qytetarin iranian Mavaneh, i cili është mbajtësi kryesor i operacionit terrorist të planifikuar“, tha drejtori i ASK-së.

Hristovski vlerësoi se aktivitete të tilla përputhen me mënyrën më të gjerë të veprimit të strukturave të inteligjencës iraniane, të cilat, sipas tij, përdorin rrjete kriminale në vende të tjera për të fshehur operacionet e tyre.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ka të dhëna se rrjeti përgatiste sulme edhe në territorin e Maqedonisë, Hristovski u përgjigj se nuk ka informacione të tilla.

„Informacione për ndonjë veprim nga ana e ndonjë rrjeti terrorist, aktivitete të lidhura me Iranin, ku target do të ishin persona nga Maqedonia, nuk kemi, pra nuk kemi informacion se diçka po përgatitet në territorin e këtij shteti“, deklaroi ai.

Ai shpjegoi se operacioni ka zgjatur rreth nëntë deri në dhjetë muaj, dhe informacionet që mund të bëhen publike janë prezantuar në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë për Siguri Publike.

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, informoi se në kuadër të rastit katër personave u është caktuar paraburgim, një personi i është caktuar arrest shtëpiak, ndërsa personi i gjashtë ende nuk është i disponueshëm për organet e ndjekjes, përcjell Pa Censurë.

„Katër personave, sipas informacioneve që kemi si shërbim, si Byro për Siguri Publike, u është caktuar masa aktive e paraburgimit, një personi i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Personi i gjashtë, siç thashë, ende nuk është i disponueshëm për organet e ndjekjes dhe po kërkohet aktivisht“, deklaroi Janev.

ANB-ja njofton se do të vazhdojë aktivitetet për identifikimin e personave të lidhur me rrjetet ndërmjetësuese iraniane dhe parandalimin e aktiviteteve të mundshme terroriste, në bashkëpunim me institucionet vendase dhe shërbimet partnere të huaja.

Edhe pse rrjeti i zbuluar ka vepruar edhe nga Maqedonia, sipas informacioneve të deritanishme të ASK-së, atentati i planifikuar ishte i drejtuar ndaj një personi në Greqi, dhe shërbimet nuk kanë të dhëna për ndonjë sulm të përgatitur në territorin maqedonas.