Andrea Ranocchia ka rrëfyer periudhën më të errët të karrierës së tij tek Interi, të shoqëruar nga depresioni dhe humbja e shiritit të kapitenit. Ish-mbrojtësi zikaltër dhe i kombëtares italiane, sot opinionist në “Pressing”, ka ndryshuar këndvështrim dhe po merret me platformën dixhitale “Athletics Mind”, që lidh sportistët me psikologë dhe nutricionistë.
“E di çfarë do të thotë të jetosh në errësirë dhe sa e rëndësishme është të kërkosh ndihmë”, – tha ai për “Corriere della Sera”.
I ardhur nga Bari në vitin 2010, Ranocchia u përball me dëmtimin, krizën e Interit dhe kritikat e vazhdueshme: “Ishte kaos, ndiheshim të pafuqishëm. Shkuarja në stërvitje ishte bërë barrë. Kisha humbur vetëbesimin. Pyesja veten nëse do të mund të luaja më futboll, jo vetëm në Serie A, por në çdo kategori. Nuk e njihja më veten”.
Ai kujton edhe periudhën e depresionit: “Isha bërë fajtori kryesor. Fishkëllima, fyerje në stadium, në rrugë dhe në rrjetet sociale. Nuk doja të dilja nga shtëpia. Isha në depresion”.
Goditja tjetër ishte heqja e papritur e shiritit: “E mora vesh në miqësoren e parë. Në dhomën e zhveshjes pashë se shiriti ishte vendosur pranë fanellës së Icardit”.
Rimëkëmbja nisi me ndihmën e një psikologeje. Ai falënderoi edhe Spallettin: “Do t’i jem gjithmonë mirënjohës”.
The post Andrea Ranocchia dhe depresioni tek Interi: “Më dridheshin këmbët, kisha frikë të luaja” appeared first on Telesport.
