Grupi parlamentar i LSDM-së ka dorëzuar 225 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm, prej të cilave, siç thonë, 64 janë të përgjithshme, ndërsa 161 të tjerat kanë të bëjnë me projekte që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ndër amendamentet kryesore veçuan ato për pagën minimale, për përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, rritjen e racionit studentor, si dhe për projektet komunale. Koordinatori Oliver Spasovski vlerësoi se buxheti nuk është zhvillimor dhe se gjatë vitit të ardhshëm do të pësojë disa ribalancime.

“Edhe ky buxhet është një buxhet që nuk ka komponent zhvillimor. Nëse shohim se vetëm 9 për qind janë investime kapitale, përballë 91 për qind të shpenzimeve të tjera rrjedhëse, kjo tregon se do të kemi një vit në të cilin përsëri do të kemi një buxhet që me shumë gjasë do të pësojë disa ndryshime dhe ribalancime”, tha Oliver Spasovski.

Amendamente kanë paraqitur edhe nga Fronti Evropian, prej nga presin që ato të miratohen për të arritur stabilitet fiskal.

“Me këtë amendament propozohet ulja e deficitit buxhetor me qëllim përmirësimin e politikës fiskale dhe zvogëlimin e nevojës për huamarrje. Ky ndryshim synon të nxisë një përdorim më racional të mjeteve financiare, duke kufizuar shpenzimet që nuk janë të domosdoshme dhe duke rritur efikasitetin e mjeteve buxhetore”, tha Rijad Shaqiri.

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, e hodhi poshtë amendamentin, pasi, siç theksoi, nuk ekziston mundësia për uljen e deficitit.

“Ne, si Ministri e Financave dhe si Qeveri, nuk heqim dorë nga rritja e pensioneve, nga rritja e pagave, nga rritja e programeve në bujqësi dhe subvencioneve, si dhe nga transferet sociale, kështu që në këtë moment nuk ekziston mundësia për uljen e këtij deficiti të projektuar prej 3,5 për qind”, deklaroi Nikollçe Jankullovski.

Edhe opozitarja E Majta ka kritikuar buxhetin për vitin e ardhshëm, për të cilin ka paraqitur 80 amendamente.

“Të gjitha ato programe sociale, të gjitha programet për avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, programet që duhet të parandalojnë rrethanat në të cilat krijohet dhuna e përditshme, për të cilën jemi dëshmitarë kohëve të fundit, mbeten me gjithnjë e më pak mjete dhe injorohen nga ana e pushtetit, gjë që shihet edhe në buxhet”, theksoi Rexhep Ismail.

Në projektbuxhetin e propozuar për vitin e ardhshëm 2027, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 395,4 miliardë denarësh, që është 5,7% më shumë në krahasim me vitin 2026, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 440,4 miliardë denarë. Për këtë projektbuxhet, nga grupet parlamentare janë paraqitur rreth 400 amendamente.