Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar deklaratat e tij lidhur me kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke theksuar se nuk synon t’i japë leksione Maqedonisë së Veriut për rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai tha se Maqedonia e Veriut ka bërë sakrifica të mëdha, përfshirë ndryshimin e emrit të shtetit, ndërsa BE-ja nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna.
Rama shtoi se Maqedonia e Veriut ka të drejtë të jetë e shqetësuar për kërkesat e mundshme të reja, por sipas tij, përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë mund të jetë rruga për heqjen e vetos së Bullgarisë.
Ai theksoi se këto janë qëndrimet e tij personale dhe se Shqipëria në asnjë rrethanë nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
“Unë kam qenë gjithmonë një zë i fuqishëm, ndonjëherë edhe i lartë, në mbështetje të procesit të afrimit dhe anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Asnjëherë nuk do t’i lejoja vetes t’i tregoja qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjnë.
Deklarata për të cilën po flisni ishte përgjigje ndaj një pyetjeje të një gazetari në një televizion bullgar, ku do të shkoj për vizitë pas disa ditësh. Pyetja kishte të bënte me pretendimet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet dy palëve.
Në përgjigjen time kam bërë një shpjegim më të gjerë sesa ajo fjali që mediat në Maqedoninë e Veriut kanë veçuar. Kam theksuar sakrificat e mëdha që ka bërë Maqedonia e Veriut, përfshirë ndryshimin e emrit të shtetit, ndërkohë që Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, nuk e ka përmbushur atë që ka premtuar.
Gjithashtu, kam thënë se pala maqedonase ka të drejtë të jetë e shqetësuar dhe të ketë dyshime se mund të përballet me kërkesa të tjera në të ardhmen, nëse ndërmerr hapin për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Por, nga ana tjetër, kam shtuar se vetoja mund të hiqet nëse plotësohet ky kusht dhe, sinqerisht, e kam të vështirë të shoh një rrugë tjetër. Ky është thjesht opinioni im. Unë nuk i jap askujt leksione dhe Shqipëria kurrë nuk do të bëhet pengesë, në asnjë formë, për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
