Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim të veçantë me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, në Manastir, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, transmeton TV21.
Pas takimit, Mexhiti bëri të ditur se kanë diskutuar për lidhjet e ndërtuara ndër vite dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që përfitimet të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ai theksoi rëndësinë e lehtësimit të qarkullimit, si dhe bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe biznesit.
Ndërkaq, Kasami njoftoi se në takim janë diskutuar çështjet aktuale politike, marrëdhëniet dypalëshe dhe sfidat e përbashkëta.
Ai theksoi përkushtimin për forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën, në interes të popullit shqiptar./TV21
