Periudha nga nëntori deri në janar duket se merr një kuptim të veçantë për shqiptarët. Këta muaj shënojnë disa nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar, ndaj artistët Miranda Hashani dhe Selami Kolonja bëjnë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërmjet trevave shqiptare dhe për kremtimin e përbashkët të festave kombëtare, me theks të veçantë te festat e Nëntorit.

Ky ishte mesazhi që u përcoll nga koncerti i dy artistëve, i mbajtur sonte në Qendrën Informative Kulturore (QIK), ku publiku pati mundësinë të shijojë nga afër interpretimet dhe zërat e dy prej artistëve të njohur shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, përcjell TV21.

Për Miranda Hashanin, atmosfera festive që nis me festat e Nëntorit dhe vazhdon deri në fillim të vitit të ri është një mundësi e veçantë për të nderuar dhe kujtuar datat që kanë rëndësi për kombin shqiptar.

“Dhe nëse i krahasojmë me popujt e tjerë, të cilët i kanë vetëm festat e dhjetorit, pra festat e fundvitit, ne fillojmë që nga nëntori dhe festojmë deri në fund të dhjetorit. Ndoshta edhe një pjesë të janarit e kalojmë në festë. Kështu që është bukur që këta muaj t’i kalojmë në atmosferë festive, duke shënuar edhe ditët tona më të rëndësishme kombëtare”, u shpreh Hashani.

Ndërkaq, këngëtari Selami Kolonja ngriti nevojën për iniciativa më konkrete që do të afronin shqiptarët përmes kulturës dhe artit. Ai vlerësoi se Shqipëria duhet të ketë rol më të madh në forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të gjitha trevat shqiptare.

“Ne kemi nevojë për bashkëpunime të ndërsjella ndërmjet viseve dhe trevave shqiptare. Të gjithë mund të kontribuojmë, por atë që kryesisht mund ta bëjë dhe duhet ta bëjë Shqipëria, është forcimi i lidhjeve ndërmjet shqiptarëve. Normalisht që Shqipëria duhet të bëjë më shumë për lidhjet e ndërsjella ndërkulturore, kur bëhet fjalë për festa të tilla kombëtare. Pavarësia e Shqipërisë, më 28 Nëntor, është një datë që na bashkon të gjithëve. Para shpalljes së pavarësisë, në nënshkrimin e aktit morën pjesë personalitete të rëndësishme nga të gjitha vilajetet shqiptare, nga Shkupi, Tetova, Kosova, Struga, Ohri e vise të tjera shqiptare. Prandaj, uroj që në një të ardhme të afërt të krijojmë një institucion, një institut që do të merrej me shënimin e datave të tilla të rëndësishme. Artistët duhet të jenë ura lidhëse për të përcjellë sa më shumë emocione dhe për t’i vendosur gjërat aty ku duhet dhe ku e kanë vendin”, tha Kolonja.

Përtej muzikës dhe emocioneve që solli koncerti, mesazhi i artistëve ishte i qartë: festat kombëtare nuk duhet të mbeten vetëm data në kalendar, por të shndërrohen në momente bashkimi, bashkëpunimi dhe afirmimi të kulturës shqiptare në të gjitha trevat.