Kompania SpaceX e Elon Musk ka marrë miratimin nga Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA (FCC) për një projekt gjigant në hapësirë, që parasheh vendosjen e deri në 1 milion qendra të të dhënave në orbitën e Tokës.
Projekti, i planifikuar të realizohet gjatë një periudhe 15-vjeçare, synon të krijojë një rrjet orbital për përpunimin dhe transmetimin e sasive të mëdha të të dhënave, në një kohë kur kërkesa për kapacitete kompjuterike po rritet me shpejtësi për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, e cilësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm për forcimin e pozitës së SHBA-së në garën globale për inteligjencën artificiale.
“Duke zhvendosur kapacitetet përpunuese përtej Tokës, SpaceX dhe konkurrentët e tjerë që po punojnë për qendrat e tyre orbitale të të dhënave po u përgjigjen nevojave të kohës”, deklaroi Carr.
Qendrat e të dhënave në hapësirë pritet të furnizohen me energji diellore, duke shmangur një pjesë të problemeve që shoqërojnë ndërtimin e objekteve të tilla në Tokë, veçanërisht konsumin e lartë të energjisë.
Megjithatë, projekti i SpaceX, i quajtur “Starmind”, përballet me sfida të mëdha teknologjike dhe logjistike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve hapësinore dhe vështirësitë në vendosjen e mirëmbajtjen e një rrjeti kaq të madh në orbitë.
Sipas kushteve të miratimit, SpaceX duhet të vendosë stacionin e parë të autorizuar deri më 25 nëntor 2033, ndërsa objektivat e tjera duhet të realizohen në faza deri në vitin 2040.
Pas vendimit, Elon Musk reagoi në platformën X, duke falënderuar kryetarin e FCC-së për mbështetjen. Ai e cilësoi projektin si një aset të rëndësishëm për Amerikën dhe botën.
