Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se ambiciet e Rusisë përbëjnë kërcënim për sigurinë e gjithë Evropës, duke theksuar se synimet e Kremlinit nuk kufizohen vetëm te Ukraina.

Duke folur në Bundestag, gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027, Merz tha se aktivitetet ruse po zgjerohen në disa zona strategjike, përfshirë rajonin e Baltikut, Poloninë dhe Detin e Zi. Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e rrezikut nga sulmet kibernetike dhe aktivitetet ruse në territorin gjerman.

“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe synimet e saj shkojnë përtej Ukrainës”, deklaroi Merz, duke shtuar se këto zhvillime duhet të merren seriozisht nga të gjitha forcat politike në Gjermani.

Deklaratat vijnë në një kohë kur disa parti opozitare, përfshirë Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe Die Linke, kërkojnë ndërprerjen e ndihmës ushtarake gjermane për Ukrainën.

Megjithatë, Merz mbrojti vazhdimin e mbështetjes për Kievin, duke argumentuar se kjo nuk është vetëm çështje solidariteti, por edhe një masë e rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Gjermanisë.

Ndërkohë, Berlini planifikon rritjen e ndjeshme të investimeve në mbrojtje, me shpenzimet që pritet të tejkalojnë 200 miliardë euro deri në vitin 2030, duke arritur në rreth 3.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.