Maqedonia e Veriut ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Instrumentit Evropian për Reforma dhe Rritje. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Tiranë.

Ai bëri të ditur se në kuadër të kërkesës së katërt për pagesë janë raportuar 22 hapa reformues, me vlerë mbi 112 milionë euro, të cilët presin vlerësimin e Komisionit Evropian. Ndërkohë, përmes sistemit SEPA, deri në shtator të këtij viti janë realizuar mbi 581 mijë transaksione, duke kursyer më shumë se 5 milionë euro.

Në samit, liderët e rajonit zhvilluan diskutime me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, për zbatimin e Planit të Rritjes, integrimin ekonomik dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Tregun e Përbashkët Evropian. Nënvizoi se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin në BE, por të përshpejtojë afrimin e vendeve të rajonit me strukturat dhe tregun europian.

Një nga temat kryesore ishte edhe zhvillimi i infrastrukturës dhe lidhjeve të transportit, me theks të veçantë në Korridorin 8, i cili lidh Evropën Qendrore me Ballkanin Perëndimor përmes rrjetit rrugor dhe hekurudhor.
Duke folur për mundësitë ekonomike të rajonit, Kos theksoi se afrimi me Tregun e Përbashkët Evropian mund të sjellë më shumë investime dhe fonde evropiane. Ajo nënvizoi se sa më shumë të afrohen vendet kandidate me Bashkimin Evropian, aq më shumë mundësi hapen për zhvillimin e ekonomive të tyre.