Në emisionin e pasdites në TV21, “Pastel” është trajtuar festa kombëtare “22 Nëntori” – Dita e Kongresit të Manastirit.
Për këtë, e ftuar në emision ka qenë profesoresha e gjuhës shqipe dhe letërsisë, Ajtene Hajdari Qamili e cila ka folur për rëndësinë e shënimit të kësaj feste kombëtare dhe për ruajtjen e gjuhës shqipe ndër breza.
Ajo vlerësoi se muaji nëntor, paraqet muaj i shenjtë, i bekuar për shqiptarët duke shtuar se në këtë muaj shënohen dy festa të rëndësishme shqiptare, Kongresi i Manastirit ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe dhe “28 Nëntori” – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, apo siç njihet në trevat shqiptare si Dita e Flamurit Kombëtar.
Profesoresha Qamili vlerëson se më shumë rëndësi i jepet “28 Nëntorit”, ndërkaq shton se duhet më shumë t’i jepet rëndësi “22 Nëntorit”.
Ajo madje rekomandoi që të organizohen edhe ekskursione në Muzeun e Alfabetit që nxënësit, por edhe të rriturit të njihen nga afër me historinë e kësaj feste.
Profesoresha foli edhe për sfidat e shqipes në ditët e sotme. Nëse në të kaluarën, tha ajo, gjuha shqipe nuk arriti të ruhet si pasojë e nivelit të ulët të arsimimit të nënave shqiptare, sot, sipas saj, gjuha shqipe rrezikohet nga rrjetet sociale.
“Leximin si lexim, nëse e marrim kështu teknologjia e ka rritur leximin. Sepse vazhdimisht njerëzit lexojnë. Po çka lexojnë? Pyetja është çka lexojnë? Leximi i lekturuar, i redaktuar gjuhësisht, leximi i librave, i gjërave shkencore… Këtu do me thënë numri ka rënë”, tha Qamili./TV21
