Trajneri i Napolit, Antonio Conte, analizoi në mikrofonat e DAZN humbjen 1-0 kundër Lazios. Pavarësisht rezultatit negativ, ai mbetet optimist për progresin e skuadrës që drejton: “Edhe ndeshja e sotme tregoi se jemi në rrugën e duhur. Ideja jonë është të ushtrojmë presion ndaj kundërshtarit, për të mos i lënë hapësira të krijojë situata për të na bërë dëm.

Megjithatë, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Arrijmë pranë zonës, por na mungon pasimi i fundit. Po punojmë për këtë, nuk jam i pakënaqur me performancën në tërësi. Djemtë dhanë gjithçka, duke bërë një ndeshje të mirë kundër një skuadre të shkëlqyer si Lazio.

Bardhekaltrit nuk janë më surprizë, po bëjnë shumë mirë. Nuk jam i zhgënjyer apo i pakënaqur. Në këtë rrugëtim ka pengesa, ndoshta do të ketë edhe të tjera. Kjo është skuadra që dua të shoh, por duhet të jemi më cilësorë në metrat e fundit”.

Për ekuilibrin në lojë: “Nëse ushtron presion, është e pashmangshme që të mos përballesh me kundërsulme. Për këtë duhet të jemi më të përgatitur, por kjo është pjesë e procesit tonë të rritjes. Preferoj më mirë një ekip aktiv sesa një që mbyllet prapa.

Kjo qasje po na jep rezultate të mira, por ka ende punë për të bërë. Kanë kaluar vetëm pesë muaj, duhet të vazhdojmë me këto ide dhe të mos kthehemi pas. Nuk dua të shoh një ekip pasiv, por t’i luajmë ndeshjet duke kërkuar më shumë cilësi. Këtu lojtarët tanë duhet të bëjnë diferencën”.

The post E mundi Lazio brenda në shtëpi, habit Conte: Nuk jam i zhgënjyer me paraqitjen, ky është ekipi që dua të shoh appeared first on Telesport.