Përgatitjet për ndeshjen e Champions League mes Stuttgart dhe Young Boys, e fituar nga skuadra gjermane me rezultatin 5-1, u shoqëruan nga një tragjedi që goditi sulmuesin kongolez të formacionit zviceran, Meschack Elia. Vetëm pak orë para ndeshjes, Elia mori lajmin nga vendlindja për vdekjen e njërit prej fëmijëve të tij, pas një sëmundjeje të shkurtër.

Ky lajm, të cilin klubi zviceran e quajti “tërësisht të papritur”, u shoqërua me një mesazh ngushëllimi: “Ngushëllimet tona të ndjera për Meschack Elia, duke i uruar atij dhe familjes forcë dhe besim. Do t’i ofrojmë Meschack gjithë mbështetjen dhe ndihmën tonë në këto momente të vështira”.

Elia fluturoi menjëherë për në Kongo, ku ndodhen gruaja dhe fëmijët e tij, dhe nuk mori pjesë në ndeshje. Si skuadra e tij, ashtu edhe Stuttgart, dëshmuan solidaritet për të me një minutë heshtjeje para fillimit të ndeshjes. Shokët e skuadrës më pas ngritën fanellën e tij verdhezi me numrin 15 në shenjë respekti.

 

The post Tragjedi për sulmuesin e Young Boys, kongolezi humbi djalin para ndeshjes së Champions-it appeared first on Telesport.