Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 309 të tjerë janë plagosur nga një sulm në aeroportin ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Autoriteti saudit i aviacionit civil konfirmoi se në mesin e viktimave ishin katër shtetas sauditë, dy nga Bangladeshi dhe nga një shtetas i SHBA-së, Jordanisë, Palestinës, Sirisë, Sudanit dhe Egjiptit.

Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid janë pezulluar.

Më vonë, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite u zotua se do t’i përgjigjet sulmit, të cilin e cilësoi si “krim lufte” dhe për të cilin fajësoi rebelët Huthi të Jemenit.

Huthit nuk kanë komentuar sulmin e së shtunës, por kanë marrë përgjegjësinë për sulme të veçanta ndaj të njëjtit aeroport të enjten, ku u vranë tre persona dhe u dëmtua një aeroplan.

Tre persona të tjerë u vranë në sulme të veçanta të Huthive ndaj dy aeroporteve të tjera saudite, më 6 dhe 7 tetor.

Sulmi i së shtunës ishte më vdekjeprurësi në mbretëri që nga maji i vitit 2015.

Kohët e fundit, luftimet janë përshkallëzuar mes forcave qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, dhe rebelëve Huthi, të cilët mbështeten nga Irani dhe kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit.