Gazetar: Miki Trajkovski
Qeveria me ceremoni zyrtare hapi sot pjesën prej 20 kilometrash të autostradës Ohër-Kërçovë nga fshati Vërbjani deri në Ohër, me një ndërprerje të vogël pranë fshatit Botun. Megjithatë, punimet janë ende duke u zhvilluar në dalje nga Ohri dhe vetëm një korsi është e hapur.
“Me këtë autostradë, udhëtimi për në Ohër do të bëhet më i shkurtër, më i sigurt dhe më i rehatshëm në të ardhmen. Kjo do të thotë më shumë turistë nga vendi dhe jashtë vendit, të cilët do të jenë në gjendje të shijojnë gjithçka që Ohri ka për të ofruar”, tha Kiril Pecakov – Kryetar i komunës së Ohrit.
Ministrat e qeverisë dhe kryeministri Mickoski premtuan se e gjithë autostrada do të vihet në funksion deri në fund të vitit 2026.
“Ky projekt ishte simbol i paaftësisë së qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së. Ky ishte projekt i harruar dhe i braktisur, i cili nuk kishte as punëtorë, as inxhinierë e as makineri”, tha Aleksandar Nikoloski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
“Vetëm një vit pasi morëm përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit, arritëm të zhbllokojmë një nga projektet më të mëdha dhe më të bllokuara të infrastrukturës në Maqedoni. Projekti që për vite me radhë qëndroi si simbol i stagnimit, si një imazh i turpshëm i një vendi që po stagnon, sot është simbol i epokës së re. Vitin tjetër, autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundohet plotësisht dhe do të vihet në funksion”, tha Hristijan Mickoski-Kryeministër.
Mickoski pret që segmenti nga Bukojçani në Gostivar të përfundojë para afatit të caktuar. E gjetën në gjendje të keqe, vetëm me avanse të paguara, megjithëse asgjë nuk ishte bërë në terren.
Banorët e disa fshatrave të Ohrit, të cilat gravitojnë përreth segmentit të autostradës, ankohen se ndërtimi i rrugës ka bllokuar hyrjet e shtëpive të tyre, të cilat ndodhen menjëherë pranë rrugës. Ata thonë se nëse gjërat nuk ndryshojnë, do të detyrohen të shpërngulen sepse nuk do të kenë rrugëdalje.
“Nuk jemi të kënaqur. Nuk ka ku të dalësh, nuk ka ku të dalësh. Atje poshtë dhe lart në fshatin Orovnik. Nuk ka ku të shkosh. Jemi të mbyllur”, u shpreh banor i fshatit Podmoljë.
“Nuk mund të jemi të kënaqur, rruga duhet të ndërtohet siç duhet. Nëse kjo urë ndërtohet kështu, do të jetë mirë, sepse më parë thoshin se do të kalojnë vetëm këmbësorët. Kjo do të ishte një katastrofë. Të paktën në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të komunikojmë Ohër-Strugë. Një grua sapo kaloi këtu dhe nuk dinte ku të shkonte”, tha një banor tjetër.
Drejtori i NPRSH-së, Trajanovski, premton ndërtimin e rrugëve hyrëse për të gjitha vendbanimet. Kërçovë-Ohër, e cila është në ndërtim e sipër për 11 vjet dhe fillimisht duhej të vihej në funksion në qershor të vitit 2018, është 57 kilometra e gjatë dhe ndërtimi deri më tani kushton pothuajse 600 milionë euro./Alsat.mk
The post 20 kilometra të reja të autostradës Ohër-Kërçovë vihen në funksion appeared first on Alsat.
