Gazetar: Miki Trajkovski
Njeriu “amfibi”, 71-vjeçari Jane Petkov nga Sandanski i Bullgarisë, sot realizoi një sukses të ri duke u zhytur nën ujë me njërën dorë të lidhur për trupin për një distancë prej 25 metrash në Liqenin e Ohrit. Vitin e kaluar, i lidhur me pranga, zinxhirë dhe dry, i zhytur në fund të liqenit, ai arriti të lirohej dhe të dilte në sipërfaqe, duke u frymëzuar nga iluzionisti i njohur botërisht Harry Houdini. Para çdo suksesi të tij, ai thotë se përdor teknika të pazakonta të meditimit dhe të frymëmarrjes.
“Do të notoj nën ujë 25 metra me një dorë. Një dorë është e lidhur me trupin. Pra me trupin dhe një dorë. Këtë nuk e ka bërë askush në botë. Trupi im është gjithmonë i përgatitur. Unë notoj i fundit. I fundit. Gjithë jetën. Dhe nesër dikush të më thotë: bëje këtë, unë e bëj”, tha Jane Petkov – njeriu amfibi.
Ai nuk ndalet këtu; për vitin e ardhshëm paralajmëron një sukses për Guiness.
“Tani është kjo e fundit, 25 metra nën ujë. Vitin e ardhshëm do të aplikojmë për Guiness, për stafetën më të madhe në botë. Edhe këtë në Ohër? Përsëri këtu. Në Ohër. Si është t’i bësh këto gjëra në moshën 71 vjeçare? Është e mrekullueshme. Gjithçka varet nga mendja. Mësuesi im shpirtëror thotë kështu. Gjithçka varet nga mendja, nëse jeta e njeriut do të jetë parajsë apo ferr”, u shpreh Jane Petkov – njeriu amfibi.
Sot, Petkov dhe rreth njëzet notues të tjerë rekreativë nga Maqedonia dhe Bullgaria dërguan një mesazh për paqe, respekt dhe tolerancë.
“Qëllimi është të dërgojmë një mesazh simbolik, por të fuqishëm për paqe dhe tolerancë në këtë botë, ku aktualisht po zhvillohen 60 konflikte ushtarake. Nga një Ohër i vogël, nga një Maqedoni e vogël, të dërgojmë një apel të tillë. Prandaj organizuam një ngjarje të tillë të pazakontë dhe unike, zhytje stafete, ku të gjithë ata që ndihen të aftë për këtë ngjarje do të notojnë këtë distancë prej 25 metrash”, tha Sasho Toçkov – Kryqi i Kuq – Ohër.
Ngjarja realizohet në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Sporteve Ujore “Ohrid Water Festival”. /Alsat.mk
The post 71-vjeçari nga Bullgaria notoi 25 metra në Liqenin e Ohrit me njërën dorë të lidhur për trupi appeared first on Alsat.
