Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka njoftuar për një takim të veçantë me Pirro Vengu, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Ahmetit, gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e thellë mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët, zhvillimet në rajon dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar si faktor kyç për stabilitetin, integrimin evropian dhe fuqizimin e zërit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“Takime të tilla nuk janë thjesht shkëmbime mendimesh, ato janë dëshmi e gjallë e unitetit, e lidhjeve të forta dhe e përkushtimit të përbashkët për një të ardhme më të drejtë, më të sigurt dhe më dinjitoze për kombin shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit ka pranuar si dhuratë librin “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” të autorit Thomas Frashëri, të cilin e ka cilësuar si një vepër me peshë historike dhe shpirt kombëtar.
Sipas Ahmetit, libri ndriçon rrënjët dhe rrugëtimin historik të shqiptarëve ndër shekuj, duke rikujtuar se identiteti kombëtar mbetet një trashëgimi që duhet mbrojtur dhe lartësuar.
