Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Një 13 vjeçar nga fshati Çerkez i Kumanovës humbi jetën në një aksident trafiku mbrëmë në rrugën e vjetër që lidhë Kumanovën me Shkupin. 13 vjeçari me emrin Agan Asani mësohet të ketë qenë duke drejtuar një trotinet elektrik, ndërsa është goditur nga një makinë e tipit Mercedes e drejtuar nga një 24 vjeçar gjithashtu banues në Çerkez të Kumanovës. I riu nuk i ka mbietuar plagëve, pasi sipas informacioneve të para, pas goditjes është hedhur disa metra duke pësuar lëndime të rënda në kokë. Informacionin për aksidentin e konfirmoi edhe policia.
“Më 28.05.2026 rreth orës 21:10 në SPB Kumanovë është raportuar se në rrugën rajonale Kumanovë-Shkup, në fshatin Çerkez ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti të tipit “Mercedes” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga F.S. (24) nga Kumanova, dhe një trotineti elektrik të drejtuar nga një i mitur 13-vjeçar nga fshati Çerkez”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.
Shoferi i dyshuar aktualisht ndodhet në mbajtje nga ana e policisë. Sipas informacioneve që ka siguruar Alsat mësohet së bëhet fjalë për një shofer që me patentë është pajisur në janar të vitit 2022. Autoritet ligj-zbatuese akoma nuk kanë ndarë informacione për të kaluarën e tij dhe kartën penale të të pandehurit. Prokuroria dhe hetuesit e MPB-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe që mbrëmë kanë mbledh provat dhe dëshmitë verbale mbi versionin e ngjarjes. Hetimi duhet të tregon nëse shoferi ka tejkaluar shpejtësinë në vendbanim ku limiti i lejuar është 30km në orë, ka shenja nga frenimi ose jo dhe rrethanat tjera në dobi të zbardhjes së rastit. Agan Asani ishte nxënës në shkollën e fshatit dhe futbollist i klubit të qytetit. Vorrimi i tij u bë pasditen e sotme./Alsat.mk.
The post Aksident me pasoja fatale në Çerkez të Kumanovës,humb jetën një 13 vjeçar appeared first on Alsat.
