Kreu i integristëve Ali Ahmeti vlerëson se dy vitet e fundit në shtet kanë shërbyer si periudhë reflektimi për shqiptarët, të cilët po krahasojnë qeverisjen aktuale me atë të mëparshme. Ahmeti me kritika për përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, sipas tij, premtimet për ndryshim kanë sjellë rezultate negative dhe, sipas tij, kundërshtarët politikë do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në skenën politike dhe të konkurrojnë me BDI-në.
“Unë jam shumë i sigurt se gjërat nuk do shkojnë kështu. E para, te shqiptarët e shohim dhe bëjmë krahasime si ishte dje dhe si është sot. Tani kur jemi, tani për ne si BDI mos kujtojnë se na kanë dëmtuar. Për ne si BDI këto dy vite janë vite të vlerësimit dhe të reflektimit të shqiptarëve në tërësi. Çka bënë ata që thanë bënë ndryshime? Po, ndryshime, por ndryshime për të keq. Kështu që uroj edhe ata të ndryshimit për të keq të mos i përsërisin këto gabime, por të jenë përfaqësues me legjitimitet, le t’i fitojnë zgjedhjet. Kështu siç kanë punuar këto dy vjet, vështirë e kanë të mbijetojnë në skenën politike, aq më shumë të jenë konkurentë me BDI-në”, tha Ali Ahmeti.
Ahmeti shtoi se BDI është partia më e organizuar në vend dhe rajon, pasi sipas tij, kanë ndryshuar 83 për qind të udhëheqjes së partisë, duke u lënë hapësirë gjeneratave të reja. Nga ish-udhëheqësit, Ahmeti përmendi Sadullah Durakun, për të cilin tha se do të emërohet në udhëheqjen e komitetit të veteranëve, por shtoi se edhe ai vetë nuk do të jetë gjithmonë kryetar partie, por do të bëhet veteran.
“Jemi parti, lëvizje, mision nga më të organizuarit dhe etabluarit në RMV dhe në rajon. Nuk ka forcë politike që bën 83 për qind ndryshim të udhëheqjes, 73 për qind të udhëheqjes së degës. Të gjithë ata që themeluan UÇK-në, e themeluan BDI-në, po rreshtohen pas 73 për qind të djemve dhe vajzave të reja. Cila ka qenë motoja jonë? Të gjithë bashkë me ndërgjegje dhe përgjegjësi që BDI-në duhet ta ngrisim mbi supet tona, të ngrisim gjenerata të reja. Jo rastësisht Uli është vënë në krye të komitetit të veteranëve. Sigurisht edhe Sadullahin do ta bëjmë. Pas teje vij unë, unë nuk do të rri kryetar partie. Edhe unë dua të rreshtohem te veteranët dhe të shohin anëtarët e BDI-së se si luftoj unë si veteran”, deklaroi Ahmeti.
Sipas Ahmetit, askush nuk mund të jetë përfaqësues i denjë në qeveri pa legjitimitetin e popullit. Ai theksoi se shteti ka nevojë për reflektim dhe për largimin e qasjes se ai u përket vetëm maqedonasve, duke nënvizuar se shteti është i të gjithë qytetarëve dhe se këtë e garanton Marrëveshja e Ohrit. Këto komente Ahmeti i bëri në Kuvendin Zgjedhor të BDI-së në Kumanovë.
