Udhëheqësia aktuale e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka konstatuar një sërë parregullsish në funksionimin e institucionit, mes të cilave një kabllo rrjeti e zhdukur me vlerë 15 mijë euro, pajisje informatike të paevidentuara dhe kontrata të lidhura përtej mjeteve të parashikuara në buxhet.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, deklaroi se raporti i auditimit për vitin 2024 ka konfirmuar një pjesë të lëshimeve të evidentuara, duke theksuar se në Institut nuk ishte kryer auditim që nga viti 2017.
Sipas saj, janë blerë kompjuterë, laptopë dhe telefona mobilë pa evidencë përkatëse se ku kanë përfunduar, ndërsa janë lidhur edhe kontrata për shërbime telekomunikimi me vlerë dukshëm më të lartë se ajo e planifikuar.
Andonovska theksoi se janë konstatuar edhe shpenzime të larta për reprezentacion, si dhe pagesa të shtesave në paga që, sipas saj, kanë qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ajo pretendon se pas vendosjes së masave të reja, Instituti tani kursen rreth pesë milionë denarë në muaj.
“Gjetëm një llogari të zbrazët të Institutit, ndërsa sot në llogari ka rreth 150 milionë denarë dhe janë kthyer borxhe në vlerë prej mbi 50 milionë denarësh. Shtrohet pyetja se ku kanë përfunduar mjetet që duhej të investoheshin në pajisje, diagnostikë dhe shërbime për qytetarët”, deklaroi Andonovska.
Ajo njoftoi se nesër do të mbajë një konferencë për media, në të cilën do të prezantojë detaje shtesë për parregullsitë e konstatuara.
Një pjesë e gjetjeve, siç informoi ajo, tashmë janë dorëzuar te institucionet kompetente, përfshirë edhe Njësinë Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më herët, Enti Shtetëror i Revizionit kishte shprehur opinion negativ për raportet financiare dhe funksionimin financiar të Institutit të Shëndetit Publik për vitin 2024, duke vënë në dukje një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe zbatimin e programeve në fushën e shëndetit publik.
