Policia ka arrestuar një 46-vjeçar, i cili me automjetin e tij kishte marrë pjesë në aksidentin e trafikut në Shkup, ku dje humbi jetën një 19-vjeçar me motoçikletë.

Sipas policisë, gjatë këqyrjes së pamjeve video nga aksidenti është konstatuar se në shkaktimin e aksidentit, por pa kontakt fizik, kishte marrë pjesë edhe një automjet „Seat Altea“ me targa të Shkupit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i ngjarjes pa u ofruar ndihmë të lënduarve.

Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzim përkatës.

Aksidenti kishte ndodhur dje rreth mesditës në rrugën „Radishanska“ në Shkup, ku ishin përfshirë një automjet „Alfa Romeo“ me targa italiane, i drejtuar nga S.B. (47) nga Shkupi, dhe një motoçikletë „Kawasaki“ me targa të Shkupit, e drejtuar nga N.M. (19) nga fshati Pobozhje.

19-vjeçari N.M. ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi është dërguar për obduksion.

Drejtuesi i automjetit „Alfa Romeo“, S.B., ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit „Shën Naum i Ohrit“.