VLEN ka kërkuar nga Prokuroria sqarime për ecurinë e rastit “Lotaria”, duke ngritur pikëpyetje për mungesën e aktakuzës ndaj ish-funksionarit të BDI-së, Artan Grubit, rreth 6 muaj pas caktimit të masës së arrestit shtëpiak. Nga partia thonë se më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase dhe kërkojnë të bëhet e ditur se ku kanë mbetur procedurat. VLEN gjithashtu rikujtoi se Grubi është futur në listën e zezë amerikane nën akuzat për korrupsion të nivelit të lartë dhe kërkoi nga Prokuroria të sqarojë nëse ka ndërmarrë hapa lidhur me gjetjet e autoriteteve amerikane.

“Për t’ia hequr sikletin Ali Ahmetit dhe për t’i dhënë opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehtas me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, thonë nga VLEN.

BDI i është përgjigjur VLEN-it duke e cilësuar reagimin e kësaj partie si “presion skandaloz dhe të papranueshëm” ndaj Prokurorisë dhe gjykatave. Nga BDI thonë se drejtësia duhet të bazohet në prova, ekspertiza dhe ligj, e jo në direktiva politike apo partiake, duke iu referuar edhe raporteve të komunitetit ndërkombëtar për presionet politike mbi sistemin e drejtësisë.

“BDI bën thirrje për drejtësi europiane, joselektive. Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake. Paaftësinë e vet dhe dështimin e tërësishëm, Vlen tenton ta kamuflon me përndjekje politike dhe presion ndaj prokurorisë”, theksojnë nga BDI.

Integristët po ashtu i kërkuan partisë në pushtet VLEN që denoncimet t’i nisë edhe nga radhët e veta, duke përmendur zyrtarë si Izet Mexhitin, Visar Ganiun, Burim Latifin dhe Nedim Ramën për abuzime me funksionin dhe për dëme financiare.