Gjykata Kushtetuese ka vënë në pauzë “Balancuesin” deri sa të sillet një vendim përfundimtar nëse ky mekanizëm do të shfuqizohet tërësisht apo jo. Arsyeja e Gjykatës është se punësimi në bazë etnike është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut, sepse qytetarët kanë të drejtë të deklarohen si të duan, e madje edhe të mos deklarohen fare për përkatësinë etnike. Kjo iniciativë ishte ngritur nga përbërja e kaluar e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, që sipas tyre përdorimi i “balancuesit” si kriter bazë për ndarjen e vendeve të punës është në kundërshtim me sistemin e meritave dhe çon në keqpërdorime, duke përfshirë tregtinë me ndikime, sjellje korruptive dhe krijimin e klientëve politikë.

“Vendim ku është vendosur se përkatësia etnike është ndjenjë personale e qytetarit dhe si i tillë mund të jetë i ndryshueshëm. E drejtë personale e qytetarit është të vendosë nëse do të deklarohet dhe si do të deklarohet për përkatësinë e tij por kjo përfshinë dhe të drejtën të mos deklarohet fare. Duke diskutuar për rregulla nga ligji për evidencën amë, Gjykata vendosi se kombësia është ndjenjë private dhe e brendshme dhe askush nuk mund të detyrohet atë ndjenjë ta manifestojë në publik. Aq më pak ajo ndjenjë të jetë lëndë e administrimit institucional në regjistrat e shtetit”, tha Hristina Bellovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.