Tensionet rreth protestës së studentëve shqiptarë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe kanë nxitur përplasje të forta politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN. Shkas u bënë video-incizimet e publikuara në media, ku shihen përplasje dhe ndërhyrje të policisë ndaj studentëve nga Tirana, të cilët kishin ardhur në mbështetje të protestës në Shkup. Nga BDI akuzojnë institucionet për, siç thonë, presion dhe keqtrajtim ndaj studentëve shqiptarë, duke e cilësuar ndërhyrjen policore si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.

“Ky nuk është rend publik. Ky është presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe ndaj çdo zëri që kërkon barazi. BDI kërkon dorëheqje nga zëvendësministri Astrit Iseni. Kërkon përgjegjësi të menjëhershme nga MPB dhe sqarim publik për çdo veprim policor”, thonë nga BDI.

Në anën tjetër, nga VLEN hedhin poshtë akuzat, duke pretenduar se BDI po tenton të politizojë çështjen e studentëve për përfitime politike.

“BDI-së i shkoi huq edhe një tentim. Në fund, tentuan të shpëlahen në kurriz të studentëve. Edhe kjo u dështoi. Studentët kërkuan provimin e jurisprudencës në shqip, një mundësi që deri sot nuk ka ekzistuar. VLEN iu qas këtij problemi në rrënjë”, theksojnë nga VLEN.

Ndryshe, dy ditë më parë studentët të cilët erdhën nga Tirana në mbështetje të protestës në Shkup u ndaluan nga Policia e Maqedonisë në pikën kufitare Bllatë, ndërkaq më pas në media u publikuan disa video-incizime ku shihen përplasje dhe ndërhyrje të policisë ndaj studentëve.