Gazetare: Melihate Rustemi

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe përsëriti se mënyra e vetme që vendi të bëjë hapa para në procesin e integrimit evropian janë ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, të rinjtë po e humbin besimin në perspektivën evropiane të Maqedonisë dhe rrugëdalje e shohin vetëm migrimin drejt shteteve të BE-së.

“Njerëzit nuk kanë më besim. A mund të rikthehet besimi në drejtësi? Nuk mundet pa drejtësinë evropiane, njerëzit nuk besojnë më. A do ta rikthejnë besimin që të rinjtë të qëndrojnë në vend? 80% e studentëve të mi mësojnë gjuhën gjermane, duan të largohen, rezultatet në testimet PISA janë katastrofale. Ne kemi një propozim konkret nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, quhet kornizë negociuese, e votuar nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Hapi i parë që duhet të bëhet është të realizohen ndryshimet kushtetuese dhe të mbahet konferenca e ardhshme ndërqeveritare, kjo është në tavolinë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Nga ana tjetër, Antonio Milloshoski nga VMRO kërkoi një qëndrim më të qartë dhe më të sinqertë nga Bashkimi Evropian për të ardhmen e rajonit dhe procesin e zgjerimit.

“Ne duhet të dimë edhe nga ana e Bashkimit Evropian se cili është vizioni dhe lidershipi brenda BE-së për mënyrën se si e imagjinojnë Bashkimin Evropian. Sepse nëse nga vetë Bashkimi Evropian merrni nga pesë liderë pesë vizione të ndryshme për mënyrën se si e imagjinojnë anëtarësimin e ri në BE. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është se gjatë këtij viti neve na duhet një qëndrim i përbashkët i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që do të thotë: kjo është oferta jonë aktuale; ne nuk do të zemërohemi pavarësisht se çfarë oferte do të jetë ajo, përderisa ajo ofertë është e sinqertë”, theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet alternativa më e mirë për vendin.

“Rruga varet edhe nga vetë ne. Ne duhet të vendosim ta ndjekim këtë rrugë dhe t’i shtrojmë vetes pyetjen nëse mund të mendojmë dhe të sillemi si evropianë, duke respektuar dhe kultivuar vlerat, por me të vërtetë. Nëse e arrijmë këtë dhe secili fillon të ndryshojë nga vetja, jam i bindur se do ta arrijmë qëllimin që qytetarët të jetojnë me dinjitet. Gjithçka tjetër do të jetë vetëm formë dhe procedurë për anëtarësim në BE. Prandaj ju bëj thirrje të mos kërkojmë arsyetime, por ta gjejmë rrugën”, vlerësoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditën së Evropës, në eventin e sotëm u nda edhe mirënjohja “Personaliteti Evropian i Vitit për 2025” për Sashko Kedev, kardiokirurg, profesor universitar dhe alpinist, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mjekësi, arsim dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit. /Alsat.mk

The post Mesazhet për Ditën e Evropës: Nga thirrjet për ndryshime kushtetuese, te kërkesa për vizion të qartë nga BE appeared first on Alsat.