Nga BDI e quajnë vendimin politik vendimin Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi vendimin e Qeverisë së kaluar për krijimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” në Shkup, përcjell TV21. Nga BDI thonë se ky vendim e privon Bashkësinë Fetare Islame nga organizimi i arsimit të mesëm.

“Ky vendim është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare, ndaj dinjitetit të komunitetit mysliman dhe ndaj një të drejte që u fitua si korrigjim i një padrejtësie historike gjatë qeverisjes së udhëhequr nga BDI. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje gjyqësore – kjo është betejë për dinjitetin kolektiv. Ftojmë opinionin vendor dhe ndërkombëtar, komunitetin fetar, shoqërinë civile dhe çdo qytetar me ndërgjegje që të reagojnë. Sepse heshtja sot do të thotë bashkëpunim me padrejtësinë. BDI do të mbrojë çdo të drejtë, çdo fitore dhe çdo njeri që sulmohet nga ky projekt i rrezikshëm i përjashtimit dhe diskriminimit”, thonë nga BDI.

E nga VLEN thonë se për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese është fajtor BDI-ja me në krye Ali Ahmetin. Shtojnë se janë duke punuar për një zgjidhje përmes së cilës kjo çështje do të mbyllet përfundimisht.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar akreditimin e rrejshëm të Medresesë “Isa Beu” është goditje ndaj të gjithë atyre që janë mashtruar nga premtimet boshe të BDI-së dhe heshtjes bashkëpunuese të BFI-së. Ky është dështim personal i Ali Ahmetit dhe i klikës së tij, që gjithmonë kanë luajtur me ndjenjat fetare të shqiptarëve, vetëm për interesa të ngushta politike. Sot doli e vërteta në shesh se medreseja nuk është akredituar kurrë në mënyrë të ligjshme dhe se  BDI vetëm e përdori nëpër fushata, siç përdor çdo simbol, çdo ndjenjë, çdo nevojë të shqiptarëve për t’i mashtruar”, thonë nga VLEN.