Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje politikanëve në Serbi që të shmangin deklaratat nxitëse dhe të respektojnë detyrimet e tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Reagimi i BE-së vjen pas deklaratës së ministres në qeverinë serbe, Snezhana Paunoviç, e cila tha se nëse do të ishte në pozitën e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, do të “kryente spastrim etnik në Kosovë”.

Zëdhënësja e politikës së jashtme të BE-së, Anita Hipper, tha se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik. Sipas saj, deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian, si dinjiteti njerëzor, pajtimi, përgjegjësia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. BE-ja theksoi se këto qëndrime bien ndesh edhe me detyrimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nga Brukseli u kërkua që liderët politikë të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti në rajon, duke shmangur deklaratat që mund të nxisin tensione.