Pas 165 ditësh pa pasur asnjë mbledhje, komisioni për emërtimin e rrugëve në Tetovë sot mbajti mbledhjen e parë, ku u përzgjedhën mbi 60 emra për rrugët e Tetovës. Sipas kryetarit të komisionit, emrat e rrugëve në Tetovë do të tregojnë realitetin etnik, ndërsa janë përzgjedhur emra të figurave që kanë dhënë kontribut për kombin shqiptar, atë maqedonas, por edhe emra ndërkombëtarë.

“Rrugët e Tetovës duhet të pasqyrojnë identitetin e plotë të qytetit, historinë, kulturën dhe karakterin shumëetnik. Në të gjenden figurat e mëdha të historisë dhe kombit shqiptar si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Naim, Sami, Abdyl Frashëri, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza e kështu me radhë. Gjithashtu përfshihen edhe personalitete që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore, arsimore, sportive të Tetovës, si Murat Isaku e Abdylaziz Islami, dirigjenti Bani Jaja, futbollisti Haçim Memeti. Kemi përfshirë edhe emrat më të mëdhenj të kulturës shqiptare: Ismail Kadare, Migjeni, Bekim Fehmiu. Gjithashtu, edhe rrugët ku jetojnë bashkëqytetarët tanë maqedonas nuk do të mbajnë më emra jugosllavë, por emrat e figurave të historisë dhe kulturës maqedonase si Kërste Petkov Misirkov, regjisori Branko Gapo dhe skulptorja Borka Avramova e kështu me radhë”, tha Qamili.