Hansi Flick dhe Deco marrin lajme të mira nga Joao Cancelo. Sipas të përditshmes ‘El Mundo Deportivo’, futbollisti portugez në orët e fundit arriti të zhbllokojë situatën e tij me Al Hilal duke e zgjidhur kontratën me klubin arab dhe tani është futbollist i lirë.

Ky ishte dhe hapi që duhej të bënte futbollisti përpara nënshkrimit me Barcelonën ku ai dëshironte të rikthehej përsëri pas rendimentit shumë të mirë të shfaqur në pjesën e dytë të sezonit të kaluar. Paraqitja e mirë e tij në krahun e majtë e bindi trajnerin Hansi Flick që kërkoi qëndrimin e tij në skuadër. Tani me zgjidhjen e kontratës me Al Hilal, te Barcelona e presin Joao Cancelo që të nënshkruajë kontratën e tij.
Te kampionët e Spanjës ishin të bindur se ky operacion do të mbyllej me sukses, por pritej që të ndodhte diçka pasi Al Hilal e vlerësoi 10 milionë euro kartonin e Cancelos në fillim të merkatos. Por këmbëngulja e futbollistit për t’u larguar dhe mungesa e kimisë në raportet me trajnerin Inzaghi bënë të mundur zgjidhjen e kontratës mes Cancelos dhe klubit arab me futbollistin që largohet i lirë me Barcelonën që tani do të kërkojë të firmosë me të për dy sezone.

Kjo do të jetë etapa e tretë e Joao Cancelos te Barcelona pas atyre në sezonet 2023-24 dhe 2025-26 ku në të dyja këto raste ka qenë i huazuar.