Qeveria daneze planifikon të heqë një taksë prej 25% mbi librat, aktualisht më e larta në botë, për të inkurajuar qytetarët të lexojnë më shumë. Ministri i Kulturës Jakob Engel-Schmidt beson se politika po kontribuon në një “krizë leximi” dhe do të propozojë heqjen e taksës në planin buxhetor.
Ky veprim do t’i kushtojë shtetit 330 milionë korona daneze, ose 44 milionë euro, në vit. Engel-Schmidt beson se ky është një rrezik i domosdoshëm për të zgjidhur krizën e leximit që është përhapur vitet e fundit.
“Nuk ndodh çdo ditë që dikush arrin t’i bindë kolegët se një sasi kaq e madhe parash duhet të investohet në konsumin dhe kulturën e danezëve”, tha ministri.
Ndërsa vendet e tjera nordike, si Finlanda (14%), Suedia (6%) dhe Norvegjia (0%), kanë taksa më të ulëta mbi librat, Danimarka dëshiron t’i përjashtojë librat tërësisht nga taksat. Megjithatë, përvoja suedeze ka treguar se ulja e taksave në vitin 2001 rriti shitjet e librave, por ato u blenë kryesisht nga ata që ishin tashmë lexues.
Ministri deklaroi se qëllimi është përhapja e letërsisë tek popullata e gjerë, prandaj tashmë janë ndarë para për të forcuar bashkëpunimin midis bibliotekave publike dhe shkollave, në mënyrë që fëmijët të njihen më mirë me letërsinë e mirë.
Në Danimarkë, e cila ka një popullsi prej pak më shumë se gjashtë milionë, 8.3 milionë libra u shitën në vitin 2023. Librat për fëmijë ishin më të shiturit, të ndjekur nga romanet kriminale dhe trillerat. Engel-Schmidt tha se do të monitorojë nga afër lëvizjen e çmimeve të librave pasi të hiqet taksa.
“Nëse rezulton se heqja e TVSH-së çon vetëm në një rritje të fitimeve të botuesve dhe çmimet e librave nuk bien, atëherë duhet të shqyrtojmë nëse ishte e drejtë”, shtoi ai.
The post Danimarka heq taksën prej 25% mbi librat për të inkurajuar leximin appeared first on Alsat.
