Me dëshminë e Andrej Kërstevskit, këshilltar për zbatimin e projekteve në Lotarinë Shtetërore, ka vazhduar në Gjykatën Penale gjykimi për rastin “Lotaria”. Kërstevski, ish-anëtar i Bordit Drejtues dhe atij Mbikëqyrës, si dhe ish-zëvendësdrejtor i Lotarisë, gjatë dëshmisë foli për proceset vendimmarrëse dhe procedurën e blerjes së aparateve VLT.

Në dëshminë e tij, Kërstevski foli edhe për raportet mes Përparim Bajramit dhe Artan Grubit, duke i cilësuar ato si miqësore. Ai tha se të dy i përkisnin të njëjtës parti politike, merrnin pjesë në tubime partiake dhe se Bajrami i referohej Grubit si “shefi”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, dëshmitari tregoi se gjatë mandatit të drejtoreshës Katica Nikolova-Përnakova, vendimet shoqëroheshin me argumentime shtesë, ndërsa më vonë anëtarët e bordeve kishin mundësi të konsultoheshin me departamentin juridik.

Sa i përket blerjes së aparateve VLT, Kërstevski tha se nuk kishte diskutuar zyrtarisht me Bajramin për formimin e një shoqërie të re apo zgjerimin e veprimtarisë së Lotarisë. Sipas tij, dokumentacioni për vendimmarrje i ishte dorëzuar në momentin e fundit dhe ishte kërkuar që të vendosej urgjentisht.

Ai deklaroi se kishte kërkuar takim para se të votonte, ndërsa më pas ishte bindur nga një person i lidhur me Qeverinë se dokumentet ishin në rregull dhe se duhej të merrej vendim sa më shpejt. Për këtë arsye, kishte votuar pro.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Përparim Bajramit, Elenko Millanov, pas seancës deklaroi se procedura e prokurimit të aparateve VLT ishte mbështetur në vendime të Bordit Mbikëqyrës dhe konkluzione të Qeverisë. Sipas tij, dëshmitari konfirmoi se aparatet ishin përfshirë në planet financiare dhe të prokurimit publik dhe se ato vazhdojnë të jenë pronë e Lotarisë Shtetërore.

Millanov pretendoi se nuk ka pengesa për vënien në funksion të aparateve apo shitjen e tyre te subjektet me licenca për organizimin e lojërave të fatit. Ai shtoi se vlera e tyre aktuale është 40 deri në 50 për qind më e lartë, pavarësisht se kanë qëndruar për vite në magazinë.

Në rastin “Lotaria Shtetërore”, përveç Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 9.7 milionë eurosh. Asnjëri prej tyre deri më tani nuk e ka pranuar fajësinë. Seanca e radhës është caktuar për më 6 nëntor.