Shkupi këto ditë është në qendër të vëmendjes për teknologjitë e reja, ndërsa vëmendje të veçantë po tërheq roboti humanoid NEO, i cili ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë po zgjon kureshtjen e qytetarëve.
Roboti u prezantua në panairin ndërkombëtar “ENERGO TEHNOMA 2026”, i cili mbahet nga 29 deri më 31 tetor në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup. Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me robotët humanoidë, aftësitë e tyre dhe arritjet më të fundit në fushën e robotikës dhe automatizimit.
Pas prezantimit të tyre qëndron kompania sllovene e teknologjisë Hiproject, e cila merret me zhvillimin dhe zbatimin e robotikës humanoide në industri të ndryshme.
Sot, NEO është parë edhe në rrugët e Shkupit, ku prania e tij është kthyer në një atraksion për qytetarët, duke dëshmuar se teknologjia që deri vonë dukej si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e përditshmërisë.
