Me vendim të Këshillit Komunal, në Tetovë është miratuar rregullimi i çmimit të ujit. Megjithatë, sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri, çmimi do të pësojë një rritje prej vetëm rreth 2 denarësh brenda tre viteve të ardhshme, duke mbrojtur kështu buxhetin e qytetarëve. Ai thekson se Komisioni Rregullator kishte propozuar një çmim mesatar prej 24 denarësh, por Bordi i ndërmarrjes ka vendosur të aplikojë tarifën minimale.

“Komisioni Rregullator na ka caktuar neve një çmim mesatar i cili është prej 24 denarë. Ne si ndërmarrje kemi të drejtë, me Këshillin e Brendshëm… të shkojmë në çmim maksimum ose çmim minimum. Dhe ne kemi vendosur që të mos e rëndojmë xhepin e qytetarit, që të jetë sa më korrekt dhe sa më i lirë në faturimin e ujit ndaj qytetarëve, kemi vendosur që të shkojmë në çmim minimal, i cili është diku te 22 denarë”, deklaroi Zeqiri.

Në aspektin financiar për familjet tetovare, nga ndërmarrja shpjegojnë se kjo do të thotë një ndryshim prej rreth 40 denarësh në muaj në faturat e tyre. Përkundër kësaj rritjeje të lehtë, NPK „Sharri“ thekson se Tetova vazhdon të ketë çmimin e ujit ndër më të lirët në nivel republikan.

“Një qytetar i cili harxhon diku te 21 kubik në muaj, në qoftë se ka paguar 400-420 denarë, do të duhet të paguajë diku te 460 deri në 470 denarë maksimum. Për gjithë qytetet në nivel republikan, qyteti i Tetovës besoj se ka ujin më të lirë në nivel republikan, duke marrë krahasim nëse marrim me qytetin e Ohrit ku është 70 denarë për metër kub, qyteti i Tetovës është 22.5 denarë për metër kub”. tha më tej Zeqiri.

Aktualisht, qyteti i Tetovës furnizohet me rreth 320 litra ujë në sekondë, sasi kjo e konsideruar e mjaftueshme për këtë periudhë të vitit kur nuk ka prani të mërgimtarëve. Nga ndërmarrja njoftojnë gjithashtu se reshjet e paralajmëruara të shiut gjatë ditëve në vijim pritet të përmirësojnë më tej situatën dhe furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm për qytetarët.