Nuk do të shpallet gjendje epidemike në Gostivar derisa të zbardhet shkaku i valës së rasteve me probleme gastrointestinale. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se autoritetet shëndetësore kanë nevojë për më shumë të dhëna nga anketat epidemiologjike për të identifikuar burimin e infeksionit. Pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit dhe takimeve me drejtuesit e institucionit, Klekovski vlerësoi se situata po menaxhohet dhe se spitali ka kapacitete dhe terapi të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve. Ministri u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike, pasi informacionet nga pacientët janë të rëndësishme për përcaktimin e shkaktarit.

“Në hetimin epidemiologjik janë përfshirë më shumë institucione dhe po zhvillohen më shumë lloje analizash për të përjashtuar të gjitha mundësitë – nga metalet e rënda, parazitët, viruset e bakteret. Deri tani anketë epidemiologjike kanë plotësuar vetëm 19-të qytetarë, u apleoj qytetarëve të përgjigjen pozitivisht ndaj fetsave të shërbilebe epidemiologjike të Gostivarit dhe të bashkëpunojnë me ta. Na duhen shumë më tepër anketa epidemiologjike për të gjetur shkaktarin dhe për të lidhur burimet e mundshme të infeksionit”, tha Sasho Klekovski.
I pyetur për dyshimet nëse shkaku mund të jetë ushqimi apo uji, Klekovski tha se përgjigjen duhet ta japin epidemiologët pas analizave përfundimtare. Ai shtoi se nuk mund të përjashtohet apo konfirmohet asnjë mundësi pa përfunduar hetimi.

“As unë dhe as drejtoresha e ndërmarrjes publike nuk mund të përcaktojmë shkaktarin. Për këtë janë epidemiologët. Ekziston Qendra e Shëndetit Publik dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe duhet të pritet vlerësimi i tyre. Mund të them jozyrtarisht se gjasat që 1.000 persona të helmohen nga ushqimi janë shumë të vogla. Për më tepër, kjo situatë po zgjat tashmë katër ditë, prandaj, sipas logjikës sime, ushqimi mund të përjashtohet si burim i mundshëm”, tha Sasho Klekovski,
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore po analizojnë edhe faktorë të tjerë të mundshëm që mund të kenë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve, përfshirë edhe ndikimin e ndotjes së ajrit.