Pas padisë së ngritur ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq dhe ndalesës së përhershme për të hyrë në Kosovë lidhur me deklaratën e saj shoviniste për spastrim etnik, Qeveria e Kosovës njoftoi  se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Jashtëm, Glauk Konjufca, i dërgoi letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të kërkuar reagim më të fuqishëm nga klubi evropian pjesë e të cilit synojnë të bëhen si Kosova, ashtu edhe Serbia.

Konjufca ka shkruar se deklarata të tilla nuk mund të trajtohen si një gabim i izoluar, duke theksuar se ato paraqesin një vazhdimësi të retorikës revizioniste që dëmton procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo deklaratë përbën një glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gabim i thjeshtë”, ka theksuar Konjufca.

Deklarata e Paunoviqit është dënuar tashmë nga BE-ja dhe dënimin e përsëriti të enjten komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se ishte e habitur se si ajo vazhdon të mbetet ministre në Qeverinë serbe.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj” – Marta Kos, Komisionare për Zgjerim e BE-së.

Ministrja serbe Paunoviq, nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit nuk ka hequr dorë nga deklarata e saj shoviniste për spastrim etnik. Në një intervistë të re tha se ndoshta duhej të kishte përdorur një terminologji tjetër në vend të shprehjes “spastrim etnik”. Ajo ka thënë se fjala e duhur do të ishte “deportim”.

Në anën tjetër, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb, Gjuro Macut, për shkarkimin e Paunoviqit. Ata i kërkuan kryeministrit Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e saj.

Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

The post Deklarata për “spastrim etnik”, Kosova kritikon reagimin e Bashkimit Evropian appeared first on Alsat.