Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se forcat e saj “nisën një valë sulmesh kundër Iranit. Sulmet synojnë ta vazhdojnë dobësimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, sipas urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm”. CENTCOM theksoi se kishte goditur “objekte të vëzhgimit, infrastrukturë të logjistikës ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare. Forcat amerikane përdorën avionë luftarakë, dronë ajrorë, anije luftarake dhe mjete të tjera ushtarake”.

Ndërkohë, thuhet se trafiku në Ngushticën strategjike të Hormuzit është ndalur pothuajse plotësisht, për shkak të veprimeve të shumta të forcave amerikane dhe lëshimit të raketave nga pala iraniane.

Mediat iraniane raportuan se “disa rrugë transporti” në zonat e provincës Hormozgan ishin bllokuar si pasojë e sulmeve ndaj rrugëve kryesore, të paktën dy urave dhe një tuneli rrugor. Një ditë më parë, media shtetërore iraniane kishte raportuar se të paktën pesë ura ishin goditur në jug të vendit. Shtatë njerëz u tha se u vranë nga sulmet mbi urat në portin jugor Bandar Khamir, ku u godit gjithashtu edhe stacioni hekurudhor. Gjithashtu u tha se ishte goditur një aeroport më në lindje dhe larg bregdetit, në qytetin Iranshahr, në një provincë që kufizohet me Pakistanin.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se pamjet që kishte verifikuar tregonin rrënoja, parmakë të thyer dhe një automjet të dëmtuar mbi një urë të shkatërruar në Bandar Khamir.

Ndërkohë, gjeneralmajori iranian, Mohsen Rezaei, kërcënoi se Teherani është gati të rifillojë “operacione sulmuese në shkallë të plotë” nëse sulmet amerikane vazhdojnë edhe për dy ose tre ditë të tjera.

Shtetet arabe të Gjirit, aleate të SHBA-së, raportuan për raketa dhe dronë iranianë që po afroheshin, me sulme që shkaktuan të plagosur dhe dëme në objekte të infrastrukturës civile. Irani njoftoi gjithashtu sulme ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahrejnin, Katarin dhe Kuvajtin, si dhe ndaj një anijeje amerikane në pjesën veriore të Oqeanit Indian.

Sipas kompanisë së të dhënave Kpler, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit – përmes së cilës para luftës kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë bruto dhe gaz – është ndalur pothuajse plotësisht pas rifillimit të shkëmbimit të sulmeve.

Vetëm tetë anije kaluan nëpër ngushticë më 16 korrik, shifra më e ulët në tri javë. Para fillimit të luftës, mesatarisht më shumë se 100 anije kalonin çdo ditë përmes kësaj rruge ujore strategjike. /Alsat.mk

The post SHBA zgjeron sulmet ndaj Iranit, armëpushimi drejt kolapsit appeared first on Alsat.