Betejat verbale partiake dhe akuzat për atë se kush e bllokon rrugën evropiane dhe kush tregton me çështjet kombëtare vazhdojnë. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe doli me akuzën se pushteti me vetëdije e shtyn shtetin drejt izolimit për të mbrojtur bandën kriminale dhe për të bllokuar rrugën evropiane të shtetit.

“Identitetin kombëtar maqedonas nuk e rrezikojnë pakicat në Kushtetutë. Identitetin kombëtar maqedonas e rrezikojnë krimi dhe korrupsioni. Hristijan Mickoski dhe grupi i tij kriminal VMRO duhet të kuptojnë se qytetarët e shohin qartë çfarë bëjnë. Qëllimisht duan ta izolojnë vendin nga Europa për të ruajtur bandën e tyre kriminale në pushtet”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

VMRO-DPMNE nga ana e saj doli me kundërakuza, duke thënë se Filipçe ndjek hapat e Zaevit dhe është gati t’i plotësojë kërkesat bullgare në dëm të Maqedonisë.

“Kur nevojitet një dënim i qartë dhe qëndrim i fortë në mbrojtje të interesave maqedonase, Venko Filipçe zgjodhi rrugën e kundërt. Filipçe dhe LSDM-ja zgjodhën rrugën antishtetërore, respektivisht bullgare. Në vend që të qëndrojnë në anën e Maqedonisë, ata dërgojnë mesazh të qartë se nëse vijnë në pushtet, do t’i zbatonin ndryshimet kushtetuese dhe do të pranonin politika në përputhje me kërkesat e Bullgarisë”, u shpreh Valentin Manasievski – anëtar i KQ të VMRO-DPMNE-së.

Gjykime dhe kritika ndaj njëri-tjetrit shkëmbyen dje edhe kryeministri Mickoski edhe Filipçe në shënimin solemn të 9 Majit, Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës. Tregti me identitetin nuk do të bëj kurrë, deklaroi Mickoski duke bërë thirrje për bashkim. Filipçe nga ana e tij akuzoi se vendi është kthyer në Venezuelën e Ballkanit, duke thënë se gjithçka që thotë kryeministri është vetëm pretekst dhe se duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese.