Buxheti është para kolapsit, ndërsa Qeveria është e fokusuar të gjejë burime të reja për huamarrje, duke krijuar një borxh të ri prej 2,5 miliardë eurosh, alarmon kryetari i opozitares LSDM Venko Filipçe, duke theksuar se huamarrja e fundit prej 260 milionë eurosh tregon rënie të kredibilitetit të shtetit dhe rrezik për rejtingun kreditor.

“Varfëria rritet. Shkalla ka arritur në 27,9 për qind në vitin e parë të qeverisjes së grupit VMRO. Inflacioni ka arritur në 5,7 për qind, ndërsa në eurozonë diku rreth 3 për qind. Shtrenjtimi i ri i derivateve bëri që të shtrenjtohet gjithçka. Nuk u morën masa në kohë. (ngjitje 08,13) Buxheti është në prag të kolapsit, nuk ka para për asgjë. Thjesht, Qeveria është e fokusuar të gjejë burime të reja të huamarrjes. Borxhi publik është rritur vetëm për 2 vjet, është degjeneruar borxh i ri prej 2,5 miliardë euro, para të cilat do t’i kthejnë kushedi sa gjenerata të ardhshme”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Kreu socialdemokrat tha po ashtu se shporta sindikale ka arritur rreth 69.000 denarë, gjë që e bën të pamundur jetesën me paga minimale, dhe se rreth 160.000 punëtorë marrin paga deri në 30.000 denarë, duke theksuar se mungojnë reformat që do të sillnin fonde më të mëdha dhe progres drejt integrimit evropian.

Reaguan nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, duke thënë se Filipçe është njeriu që gënjente se vitin e kaluar kishte një vrimë prej 100 milionë në buxhet, se do të falimentojmë, se jemi futur në borxh prej 6 miliardë eurosh, se do të vijnë migrantët, se Maqedonia nuk ka përparim në Agjendën e Reformave. Sipas DPMNE-së në fakt nuk ka për çfarë Filipçe nuk na ka gënjyer.

“Kur Filipçe mban leksione për ekonomi, kujtojmë se kur ai ishte ministër, në vend të kujdesit për qytetarët, kujdesej për xhepin e tij përmes anekseve për spitalet modulare, blerjeve të vaksinave COVID për 3 herë më shtrenjtë, e ka futur shtetin në borxh bashkë me Zaevin dhe Kovaçevskin për gati 5 miliardë euro, ndërsa pagat dhe pensionet stagnonin. Tani kohët janë krejtësisht të kundërta, VMRO-DPMNE kujdeset për qytetarët”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Së fundi është intensifikuar përplasja politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, me akuza të ndërsjella për menaxhimin e buxhetit, borxhit publik dhe politikave fiskale. LSDM ka kritikuar qeverinë aktuale për rritje të borxhit, huamarrje të reja dhe përkeqësim të standardit të jetesës, ndërsa VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka akuzuar opozitën për shpërndarje dezinformatash dhe keqmenaxhim gjatë periudhës kur ishte në pushtet.