Shtëpia e mbrojtësit të Real Madridit, Eder Militao, është bërë cak i një grabitjeje gjatë zhvillimit të El Clasicos së fundit, ndërsa hajdutët kanë arritur të vjedhin sende luksoze me vlerë mbi 350 mijë euro.

Sipas gazetës spanjolle “El Mundo”, në mesin e sendeve të vjedhura janë dy orë luksoze të markave Rolex dhe Richard Mille, tri çanta Chanel, si dhe unaza e byzylykë Cartier.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen është se familjarët e futbollistit ndodheshin në katin e poshtëm të shtëpisë, duke ndjekur ndeshjen, pa e kuptuar se në katin e sipërm po kryhej grabitja.

Alarmi i sigurisë ishte i çaktivizuar, ndërsa familjarët u njoftuan për atë që kishte ndodhur vetëm pas mbërritjes së policisë.

Militao ka angazhuar tashmë një specialist për të ndihmuar në gjetjen dhe rikuperimin e sendeve të vjedhura, disa prej të cilave kanë edhe vlerë të madhe sentimentale për futbollistin.