Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi hapjen e negociatave për tetë kapitujt e rinj nga grupi tre me Shqipërinë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se rruga drejt Shqipërisë 2030 po vazhdon pa ndalim, raporton KosovaPress.

“Konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse në arsim, digjitalizim, punësim, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin. Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”, ka shkruar Rama.

Më 14 tetor 2024, Shqipëria hapi grup kapitullin e parë Themeloret dedikuar funksionimit demokratik të vendit dhe çështjeve të drejtësisë.

Grup-kapitulli i gjashtë ‘Marrëdhëniet me Jashtë’ u hap më 17 dhjetor 2024, ku theksi vendoset në Marrëdhëniet e jashtme të vendit përfshi ato të sigurisë dhe e mbrojtjes. Ndërsa grup-kapitulli dy ‘Tregu i Brendshëm’ u hap më 14 prill 2025 dhe përfshin Lëvizjen e Lirë të Mallrave, Lëvizjen e Lirë të Punëtorëve, Lirinë e Lëvizjes së Kapitaleve përfshi mbrojtjen e Konsumatorit dhe e Shëndetit.