Mëngjesin e së dielës me orën shqiptare, në Las Vegas do të zhvillohet sfida më e kuotuar nga bastexhinjtë e këtij viti deri më tani, ajo mes meksikanit Kanelo Alvarez dhe amerikanit Terens Krauford.

Dy boksierët janë kampionë në peshat e tyre, madje Krauford është i pamposhtur në ring (41 fitore e asnjë humbje). Por dueli është në një peshë më të madhe për të, atë super të mesme, ku Alvarez është “mbret”.

Meksikani (63 fitore, 2 humbje e 2 barazime), do të mbrojë titujt ndaj një rivali të vështirë, por gjithsesi shihet favorit. Të enjten, të dy u takuan për konferencën për shtyp para duelit, duke treguar respekt ndaj njëri-tjetrit. Në fund një foto magjike para hotelit “Bellagio” në Las Vegas.

Krauford kërkon të bëjë histori duke u bërë njeriu i parë që fiton tituj të padiskutueshëm në tre divizione të ndryshme (mban titujt në peshën ëelter dhe e mesme e lehtë).

 

“Jemi dy legjenda që luftojnë me njëri-tjetrin dhe unë padyshim që guxoj të jem i shkëlqyer. Nuk po ia heq meritat aftësive të Kanelo-s. Shumë njerëz flasin vetëm për fuqinë e tij, ai është shumë i aftë atje dhe është i respektuar”, tha Krauford.

 

“Të dy kemi lloje të ndryshme presioni me të cilat përballemi dhe do ta trajtojmë atë profesionalisht. Dhe mezi pres të bëhem kampioni i parë mashkull i padiskutueshëm tre herë në tre kategori të ndryshme peshe”, tha amerikani.

The post Kanelo dhe Krauford gati për duelin më të kuotuar të vitit appeared first on Alsat.