Një nxënës i klasës së nëntë, i cili dje u plagos me thikë në shkollën fillore SHF “22 Nëntori” në Shkup, ndodhet në gjendje stabile, por vazhdon të mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

Nga Qendra Urgjente bëjnë të ditur se në trajtimin e tij janë përfshirë kirurgë nga disa reparte dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e tij.

Incidenti, i cili ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer debatin për sigurinë nëpër shkolla, po trajtohet nga institucionet kompetente. Nga Prokuroria Publike njoftuan se për rastin po vepron një prokuror nga Departamenti për të Mitur, në përputhje me Ligjin për Drejtësinë e Fëmijëve.

Ndërkohë, nga Komuna e Gazi Babë kanë paralajmëruar koordinim urgjent me drejtorët e shkollave dhe ministren e Arsimit, për të shqyrtuar masa konkrete për parandalimin e incidenteve të tilla të dhunshme në të ardhmen.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se po shqyrtohen edhe ndryshime të mundshme ligjore, të cilat do të parashikonin përgjegjësi edhe për prindërit e autorëve të mitur të dhunës në shkolla.

Rasti ka rihapur debatin mbi dhunën mes bashkëmoshatarëve, protokollet e sigurisë në institucionet arsimore dhe nevojën për më shumë parandalim, mbështetje psikologjike dhe reagim të shpejtë për mbrojtjen e nxënësve.