Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i bindur se pas zgjedhjeve kjo parti do ta qeverisë Kosovën. Ai theksoi se PDK-ja me aleatët e saj do ta krijojë shumicën e re parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ri i Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi deklaroi se fokusi i programit të kësaj partie do të jetë qytetari.
“Fokusi jonë është qytetari, do të mundohemi që të marrim besimin e tyre, është verdikti i tyre ai që në fund vendos se kush duhet të qeverisë. Por jam i bindur që ne do ta krijojmë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare, me respekt për komunitetet minoritare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit 2025”, deklaroi Krasniqi.
Sipas tij, synimi i kësaj partie është vetëm fitorja.
“PDK-ja hynë në garë për t’i fituar këto zgjedhje, për të marr besimin qytetar, për të dal e para dhe normalisht pas asaj nëse ka hapësirë për të diskutuar me partitë që janë të përafërta me bindjet tona politike programore, ideologjike dhe me programin që do ta bart Hamza, normalisht që kemi bërë në të kaluarën dhe do të bëjmë edhe në të ardhmen”, është shprehur ai.
I pari i PDK-së ka përsëritur edhe një herë se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë parti pas zgjedhjeve.
Megjithatë, ai ka thënë se PDK-ja nuk ka preferenca për VV-në.
“Unë gjithmonë do ta konfirmoj që ne parimisht kurrë vija të kuqe nuk kemi pasur, nuk kemi dhe as nuk do të kemi. Por, parimisht sepse konsiderojmë edhe kemi konsideruar që kur i thua dikujt kam vija të kuqe ndaj teje, ti e ofendon edhe i përjashton votuesin e tij. Jo domosdoshmërisht individin që e përfaqëson atë dhe në fund të fundit ne të gjithë jemi votues të Kosovës, gjithë jemi shqiptarë, por preferencat tona janë të qarta, nuk kemi preferenca me pas çfarë do lloj bashkëpunimi me VV-në sepse hendeku mes nesh i të kaluarës por edhe i tashmes është shumë i madh dhe nuk do të funksiononte një marrëveshje e tillë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka paralajmëruar se shumë shpejt kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, do ta publikojë programin e tij politik.
“Tash kemi një hapësire kohore më të gjatë ku edhe dinamika pa dyshim e fushatën zgjedhore dhe e komunikimit tonë drejt për drejt me qytetarët, ka ndryshuar me qenë se është një fazë me e gjatë. Unë besoj që ju shumë shpjet do të shihni, kandidatin tonë për kryeministër zotëri Bedri Hamza, anë e mbanë vendit duke komunikuar drejt për drejt me qytetarët, për të diskutuar propozimet tij dhe platformën elektorale të PDK-së, e cila më pas do të finalizohet me një konventë promovuese.”, është shprehur ai, duke shtuar se PDK-ja me kandidatin e saj do të jetë në secilin lagje për të prezantuar vizionin e saj për 9 shkurtin.
Ai ka thënë se programi do të diskutohet më të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Do të jemi në secilën lagje, në secilin fshat e qytet të Kosovës për të takuar qytetar, për të diskutuar hapur dhe sinqertë me ta, për situatën në të cilën gjendemi dhe për ato që ne besojmë që duhet të ndodhin në Kosovë. Është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme që të mos mbetemi peng i diskutimeve për të kaluarën, por të diskutojmë për të tashme dhe të ardhme. Të flasim se çka duhet të bëjmë nesër si qeveri për të ju ofruar perspektive dhe mundësi qytetarëve tanë në mënyrë të veçantë të rinjve tanë, në mënyrë që edhe kjo dinamik e madhe e largimit të tyre nga Kosova të ndalet, të flasim se çka mund të bëjmë për të përmirësuar shëndetësinë, çka mund të bëjmë për të ndihmuar ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, karshi çmimeve enorme dhe rritjes që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, si duhet ti ndihmojnë bizneset dhe sektorin privat”, ka deklaruar i pari i PDK-së.