Gazetar: Angell Dimovski
Javën e ardhshme pritet rikonstruimi i Qeverisë pas festimit të ditëlindjes së partisë. VMRO-DPMNE më 17 qershor, në stadiumin e Strumicës, do të shënojë ditëlindjen e partisë, ndërsa më pas do të fillojnë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
“Javën e ardhshme, pas ditëlindjes që do të shënohet më 17 qershor në Strumicë, me fillim në orën 20:00 në stadium, pas kësaj do të fillojmë bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar lidhur me rikonstruimin e Qeverisë”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Mickoski i hodhi poshtë pretendimet e LSDM-së se Qeveria po shkon drejt zgjedhjeve për shkak të shpenzimit të mjeteve shtetërore, duke thënë se kjo nuk ka logjikë.
“Nuk do të përzihem në strategjinë e tyre. Di vetëm se, duke folur politikisht, kur hyni në gjysmën e dytë të mandatit, është logjike të jeni të përgatitur për zgjedhje, pavarësisht nëse ato janë të rregullta apo të parakohshme, me kërkesë të opozitës. Ja, opozita jonë nuk kërkon zgjedhje, opozita jonë është e fshehur. Ka tre-katër persona që mbajnë konferenca për shtyp të mbushura me të pavërteta dhe fyerje, më së shumti ndaj meje. Dhe tani, kur kanë mundësinë të tregohen në terren, të shohin se çfarë efekti kanë ato të pavërteta dhe fyerje ndaj meje, ata thjesht ikin. Kjo nuk do të ishte hera e parë që LSDM-ja e bën këtë. LSDM-ja e ka bërë këtë shumë herë gjatë historisë së saj”
Mickoski shtoi se partia që ai drejton nuk e ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se synimi i tyre është mbajtja e zgjedhjeve të rregullta. Megjithatë, nëse ato do të shkaktohen, siç tha ai, atëherë do të shkojnë në zgjedhje dhe do të fitojnë./Alsat.mk.
The post Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron bisedime për rikonstruimin e Qeverisë appeared first on Alsat.
