Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Vatikan, ka zhvilluar takim me Kreun e Selisë së Shenjtë, Papa Leoni XIV.

Gashi, i cili po udhëheq delegacionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut në Vatikan, bëri të ditur se gjatë takimit ia ka përcjellë urimet Papa Leonit XIV me rastin e përvjetorit të zgjedhjes së tij në krye të Selisë së Shenjtë.

Sipas tij, në takim është diskutuar për rëndësinë e dialogut, mirëkuptimit dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe kulturave, si dhe për forcimin e marrëdhënieve tradicionale dhe miqësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë.

Gashi ka theksuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj bashkëjetesës ndëretnike, multikulturore dhe ndërfetare, duke e cilësuar atë si model që kontribuon në stabilitetin dhe solidaritetin në rajon.

Në fokus të bisedës ishte edhe trashëgimia universale e Shën Kirilit dhe Metodit, si dhe humanizmi i Nënë Terezës, të cilat, sipas Gashit, mbeten ura që lidhin njerëzit përmes vlerave të përbashkëta njerëzore.