Kryeministri Hristijan Mickoski edhe sot akuzoi se ka pasur tentativë për ryshfet ndaj tij por nuk tregoi se kush ka dashur ta korruptoj. Vetëm tha se qendra të ndara të LSDM-së dhe BDI-së janë të shqetësuar për përfshirje në krim, duke shtuar se koha e politikanëve kriminel ka kaluar.
Shikoj qendra të caktuara të ndikimit se si janë shqetësuar, ndërsa janë të shqetësuar për shkak se ky është një tender i vjetër, prokurim publik të cilin e ka udhëhequr qeveria e mëparshme LSDM dhe BDI. Unë vendosa që të luftoj kundër krimit dhe korrupsionit andaj e dhashë atë deklaratë dhe kjo është porosi se koha e kriminelëve në politikë ka mbarua”, tha Hristijan Mickoski.
Edhe pse Mickoski dje kur kumtoi se janë munduar për t’i dhënë ryshfet, tha se rasti është dorëzuar tek institucionet kompetente, por megjithatë nga Prokuroria publike për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupisonit për TV21 thanë se një gjë e tillë nuk është dorëzuar tek ata.
“Deri në këtë moment nuk ka denoncim të tillë në Prokurorinë për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Prokuroira Publike.
Akuzat për ryshfet edhe pse kanë të bëjnë me ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, që është pjesë e Korridorit 8, si dhe pjesë e projektit strategjik të BE-së, Mickoski tha se nuk mund të vendosë nënshkrim në projekt për të cilin duhet të shpenzojë gjysmë miliardë euro, i cili përfundon në tunel pa dalje, me çka qartë vendoset në dijeni se po e ngrin këtë projekt.